Fillon zyrtarisht edicioni i trembëdhjetë i “Global UBT Fest 2024”

Ka nisur zyrtarisht edicioni i trembëdhjetë i Festivalit “Global UBT Fest 2024”, një nga ngjarjet më të mëdha të dijes dhe shkencës në Evropë, organizuar nga UBT. Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëri hapjen e këtij festivali i cili do të përfshijë një sërë aktivitetesh që synojnë angazhimin e studentëve, profesorëve dhe ekspertëve për të promovuar ide dhe njohuri inovative.

 

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e Festivalit Ndërkombëtar të Dijes “Global UBT Fest 2024”, i cili tashmë është bërë një traditë e organizimit nga UBT. Ky festival do të mbledhë profesionistë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme në mbi 300 aktivitete, duke synuar që këtë vit të sjellë në UBT mbi 12 mijë pjesëmarrës, në një prej ngjarjeve globale që ka të përfshirë edhe diasporën.

 

“Kosova përmes Global UBT Fest edhe këtë vit do të bëhet destinacion për shumë ekspertë, shkencëtarë, politikanë, si dhe artistë ndërkombëtarë. Ky festival, më i madhi i llojit të tij në rajon dhe në Evropë, është një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta të UBT-së – profesorëve, studentëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Falë mbështetjes suaj të palodhshme dhe përkushtimit tuaj, kemi arritur të krijojmë një mjedis ku inovacioni, krijimtaria dhe bashkëpunimi ndërveprojnë dhe arrijnë qëllimet e përbashkëta”, tha Rektori Hajrizi.

 

Në ceremoninë e hapjes, Rektori Hajrizi përkujtoi dhe nderoi veprën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.

 

“Kadare ishte një zë i fuqishëm i kombit tonë, një mendje brilante dhe një shpirt që përjetoi dhe përshkroi të gjitha sfidat dhe ëndrrat e shqiptarëve. Ai do të mbetet përjetësisht në zemrat tona dhe do të jetë burim frymëzimi për brezat e ardhshëm”, tha Hajrizi.

 

Gjatë këtij muaji, “Global UBT Fest 2024” do të ofrojë mundësi të shumta për studentët që përtej studimeve, të bëhen pjesë e aktiviteteve si samite, ligjërata tematike, punëtori dhe vizita studimore. Këto aktivitete synojnë përmirësimin dhe përforcimin e njohurive të tyre rreth fushave të caktuara, duke i bërë më të profesionalizuar.