TITULLI: Lingua Summer Academy – English in Action through Student Research

Koha: 15–17 Korrik 2025

Departamenti i Gjuhës Angleze në UBT, në kuadër të UBT Global Fest 2025, organizon edicionin e radhës Lingua Summer Academy 2025, me fokus në angazhimin aktiv të studentëve përmes kërkimit shkencor dhe praktikave moderne në mësimdhënie.

Kjo akademi treditore do të shërbejë si një hapësirë interaktive për të mësuar në mënyrë praktike me fokus në ndërveprim, krijimtari dhe prezantim të punës kërkimore dhe gjuhësore të nxënësve. Kjo akademi fton studentë, mësimdhënës dhe pjesëmarrës të fushës së arsimit dhe gjuhës angleze, për të ndarë përvoja, për të prezantuar projekte, dhe për të eksploruar qasje të reja pedagogjike.

Në ditën e parë, studentët e vitit të tretë të programit të Gjuhës Angleze do të prezantojnë mikrotezat e tyre kërkimore, të cilat pasqyrojnë interesin akademik në fusha të ndryshme si linguistika, teknologjia në mësimdhënie, letërsia, ndërkulturaliteti dhe zhvillimi i aftësive gjuhësore.

Dita e dytë do të përqendrohet në prezantimet e projekteve dhe punëtorive të zhvilluara nga pjesë marrësit duke përfshirë projekte kreative, dhe aktivitete kulturore të zhvilluara në gjuhën angleze.

Në ditën e tretë, do të mbahet punëtoria praktike me temën: “Mikroteza”. Ky sesion synon të udhëzojë të interesuarit përmes fazave të përgatitjes së një teme të studimeve në nivelin Bachelor, me fokus në strukturën, hulumtimin, citimet, referencat dhe organizimin efektiv të përmbajtjes. Përveç kësaj, do të ofrohet një “Punëtori për Metodologjinë e Mësimdhënies”, si dhe një sesion mbi temën “Si të shkruhet një propozim projekti”, duke ofruar udhëzime praktike për përgatitjen dhe prezantimin e planeve të projekteve akademike dhe profesionale.

Lingua Summer Academy 2025 mbetet një nismë e rëndësishme për promovimin e kompetencave kërkimore, prezantuese dhe gjuhësore të studentëve, duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis arsimit të lartë dhe komunitetit më të gjerë arsimor.

 

Kampusi Inovativ i UBT-së, Lipjan