SHKOLLA VERORE NDËRKOMBËTARE “Mëso Shqipen – Njih Kulturën, përmes së Ardhmes Digjitale”

UBT dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” organizojnë Shkollën Verore Ndërkombëtare “Mëso Shqipen – Njih Kulturën, përmes së Ardhmes Digjitale”, një program i veçantë trajnimi profesional dhe akademik i dedikuar mësimdhënësve të gjuhës shqipe në diasporë dhe të gjithë atyre që janë të interesuar për avancimin e njohurive në fushën e gjuhës, kulturës dhe teknologjisë në mësimdhënie.
Shkolla do të zhvillohet nga 29 Qershor deri më 10 Korrik 2026, duke kombinuar aktivitetet akademike, punëtoritë praktike dhe sesionet interaktive, të udhëhequra nga profesorë, studiues dhe ekspertë nga të dy institucionet.
Ky program synon të krijojë një urë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike dhe mësimdhënësve të diasporës, duke promovuar gjuhën shqipe, kulturën kombëtare dhe përdorimin e metodave bashkëkohore e mjeteve digjitale në procesin e mësimdhënies.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të:
  • Thellojnë njohuritë për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare;
  • Përfitojnë nga trajnimet profesionale mbi mësimdhënien në epokën digjitale;
  • Shkëmbejnë përvoja me kolegë nga vende të ndryshme;
  • Marrin pjesë në ligjërata, punëtori dhe aktivitete kulturore;
  • Pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje.
Periudha e organizimit: 29 Qershor – 10 Korrik 2026
Organizatorë: UBT dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”
Target grupi: Mësimdhënësit e gjuhës shqipe në diasporë dhe mësimdhënësit e interesuar për zhvillim profesional.
Ju mirëpresim të bëheni pjesë e kësaj eksperience unike akademike dhe kulturore, ku tradita dhe teknologjia bashkohen për të ndërtuar të ardhmen e arsimit shqip.