Shkolla Verore e Fakultetit të Psikologjisë nisi me sukses aktivitetet e saj akademike dhe praktike, duke ofruar ligjërata dhe workshop-e interaktive të fokusuara në promovimin e shëndetit mendor dhe zhvillimin e kompetencave profesionale.
Në kuadër të aktiviteteve të ditës së parë, PhD cand. Anita Sadikaj mbajti një ligjëratë me temën “Shëndeti mendor si prioritet për mirëqenien psikologjike, sociale dhe komunitare”, ku u trajtua rëndësia e promovimit dhe ruajtjes së shëndetit mendor në nivel individual dhe shoqëror.
Po ashtu, specialistja e Psikologjise Klinike Fatime Sahiti Bekteshi zhvilloi një workshop interaktiv mbi terapinë e rërës, duke prezantuar rëndësinë e kësaj metode në shprehjen emocionale, vetërregullimin dhe përpunimin e përvojave traumatike, si dhe në lehtësimin e zgjidhjes së konflikteve të brendshme.
Dita e parë u karakterizua nga pjesëmarrja aktive e studentëve dhe diskutime frytdhënëse, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi, reflektimi dhe të nxëni praktik.