Koha: 06 - 08 Korrik 2026
Hyrje – Përmbledhje
Industria Kreative në Praktikë
Objektivi kryesor i Global Fest UBT 2026 – Faculty of Arts and Design është zhvillimi i njohurive praktike dhe profesionale mbi mënyrën se si idetë kreative ndërtohen, prezantohen, menaxhohen dhe pozicionohen brenda industrive bashkëkohore kreative. Përmes ligjëratave, diskutimeve, punëtorive, prezantimeve të studentëve dhe takimeve me profesionistë të fushës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të kuptojnë procesin e zhvillimit të një projekti kreativ nga ideja fillestare deri te realizimi, dokumentimi dhe prezantimi publik.
Ky program synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes edukimit akademik dhe praktikës profesionale në fushën e artit, dizajnit, kurimit, filmit, muzikës, performancës, menaxhimit kulturor dhe industrive kreative. Në qendër të këtij edicioni është tema Creative Industry in Practice, e cila trajton procesin krijues jo vetëm si akt artistik, por edhe si strukturë pune, bashkëpunimi, komunikimi, organizimi, prezantimi dhe qëndrueshmërie profesionale.
Programi do të zhvillohet në Ulpiana Arts Centre në Prishtinë, duke e shndërruar këtë hapësirë në një mjedis aktiv të mësimit, eksperimentimit, dialogut dhe prezantimit publik. Pjesëmarrësit do të njihen me përvojat e profesionistëve të fushës, do të reflektojnë mbi zhvillimin e identitetit të tyre krijues dhe do të prezantojnë ide ose projekte para të ftuarve dhe stafit akademik.
Temat Kryesore
• Konceptet dhe parimet themelore të industrive kreative
• Procesi i zhvillimit të një projekti kreativ
• Praktika kuratoriale dhe krijimi i ekspozitave
• Zhvillimi i identitetit artistik dhe profesional
• Filmi, tregimi vizual dhe prodhimi audiovizual
• Shkrimi i propozimeve dhe zhvillimi i koncepteve
• Dokumentimi, katalogu dhe arkivimi i projekteve kreative
• Muzika moderne dhe menaxhimi në industrinë kreative
• Arti dramatik, performanca dhe prania skenike
• Inovacioni dhe transformimi digjital në art dhe dizajn
• Përdorimi i mjeteve bashkëkohore në praktikën kreative
• Zgjidhja e problemeve dhe mendimi kritik
• Bashkëpunimi, lidershipi dhe puna në ekip
• Komunikimi publik dhe prezantimi profesional
• Sfidat dhe perspektivat e së ardhmes në industritë kreative
Rezultatet e të Nxënit
Pas përfundimit të Global Fest UBT 2026, pjesëmarrësit do të jenë në gjendje të:
• Të kuptojnë konceptet kryesore të industrive kreative dhe lidhjen e tyre me artin, dizajnin, filmin, muzikën, performancën dhe menaxhimin kulturor.
• Të analizojnë procesin e zhvillimit të një projekti kreativ nga ideja fillestare deri te realizimi dhe prezantimi publik.
• Të identifikojnë rëndësinë e kurimit, konceptit, hapësirës, ekspozimit dhe ndërmjetësimit kulturor në prezantimin e punës artistike.
• Të zhvillojnë aftësi për strukturimin e një ideje në formë projekti, propozimi ose prezantimi profesional.
• Të kuptojnë rolin e dokumentimit, katalogut, fotografisë, videos dhe arkivimit në vazhdimësinë e një projekti kreativ.
• Të përdorin metoda dhe mjete bashkëkohore për prezantimin, komunikimin dhe zhvillimin e punës kreative.
• Të reflektojnë mbi zhvillimin e identitetit të tyre artistik dhe profesional.
• Të komunikojnë ide, koncepte dhe rezultate në mënyrë të qartë, efektive dhe profesionale.
• Të punojnë në mënyrë bashkëpunuese në ekipe multidisiplinare.
• Të analizojnë ndikimin e teknologjisë, mediave digjitale dhe transformimeve shoqërore në fushën e artit dhe dizajnit.
• Të zhvillojnë aftësi praktike përmes punëtorive, ushtrimeve, diskutimeve dhe prezantimeve publike.
• Të ndërtojnë rrjete bashkëpunimi me studentë, pedagogë, artistë, kuratorë, filmmakerë, muzikantë, performerë dhe profesionistë të industrive kreative.
• Të rrisin gatishmërinë për studime të mëtejshme, zhvillim profesional dhe përfshirje aktive në sektorin kulturor dhe kreativ.
• Të prezantojnë zgjidhje kreative ndaj sfidave reale të profesionit.
• Të reflektojnë mbi përvojën e fituar dhe mundësitë për aplikimin e saj në praktikën e tyre akademike dhe profesionale.
Grupet e Synuara
Ky program u dedikohet kryesisht studentëve të nivelit Bachelor dhe Master të Fakultetit të Arteve dhe Dizajnit në UBT, përfshirë studentët nga artet pamore, dizajni, mediat digjitale, moda, filmi, muzika, menaxhimi dhe artet dramatike.
Programi është gjithashtu i hapur për stafin akademik të UBT-së, profesionistë të rinj, artistë të rinj, dizajnerë, kuratorë në zhvillim, filmmakerë, muzikantë, performerë, menaxherë kulturorë dhe të gjithë ata që janë të interesuar në zhvillimin e praktikave bashkëkohore në fushën e industrive kreative.