Koha: 07 - 10 Korrik 2026
Fakulteti i Shkencave Mjekësore në UBT, në kuadër të Global UBT Fest 2026, organizon Shkollën Verore Ndërkombëtare me temën “Inovacionet Bashkëkohore në Shëndetësi dhe Diagnostikën Moderne”, e cila do të zhvillohet nga data 7–10 korrik 2026. Kjo akademi sjell së bashku profesorë, ekspertë klinikë, profesionistë shëndetësorë, studiues dhe studentë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në diagnostikën moderne, onkologji, radiologji, mjekësi nukleare, inteligjencë artificiale në shëndetësi dhe strategjitë bashkëkohore të parandalimit të sëmundjeve. Programi përfshin ligjërata dhe diskutime profesionale mbi përdorimin e teknologjive të avancuara diagnostike në zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e kancerit të gjirit, rolin e PET/CT, mamografisë dhe rezonancës magnetike, aplikimin e inteligjencës artificiale në imazherinë mjekësore, si dhe qasjet multidisiplinare në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin paliativ. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen me sfidat aktuale të sistemit shëndetësor dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e onkologjisë dhe kujdesit parësor. Përmes kësaj akademie, UBT synon të promovojë shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin akademik dhe profesional, si dhe zhvillimin e kompetencave të avancuara që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor. Akademia paraqet një platformë të rëndësishme për ndërlidhjen e arsimit, kërkimit shkencor dhe praktikës klinike, duke fuqizuar gjeneratat e reja të profesionistëve të shëndetësisë për t’u përballur me sfidat e mjekësisë moderne.